UT mori pjesë në Simpoziumin e revistave shkencore (FOTO)

në kategorine Maqedoni

Nën organizim të Universitetit të Trakisë nga Republika e Turqisë dhe Asociacionit Evropian të Hulumtuesve Shkencorë, prej 4 deri më 6 dhjetor, u mbajt Simpoziumi III i revistave shkencore. Në këtë simpozium morën pjesë përfaqësues nga të gjitha universitetet evropiane, në mesin e të cilëve edhe përfaqësues nga Zyra për Hulumtime Shkencore dhe Inovacion e Universitetit të Tetovës.

Këtë vit simpoziumi trajtoi temën: “Si të bëhemi autorë dhe redaktorë të suksesshëm të revistave shkencore”. Të ftuara speciale të këtij simpoziumi ishin presidentja e Asociacionit Evropian të Hulumtuesve Shkencorë, Pippa Smart nga Oxfordi – Britani e Madhe dhe  Prof. Dr Ana Marushic, profesoreshë e anatomisë dhe përgjegjëse e departamentit për hulumtime në fushën e biomedicinës dhe shëndetit në Universitetin e Splitit – Kroaci, të cilat para pjesëmarrësve në këtë simpozium ndanë përvojat e tyre rreth mënyrës se si përgatitet një punim shkencor dhe cilat metoda i kanë praktikuar ato.

Ky simpozium, rëndësi të veçantë i kushtoi edhe nëntemave: Si të publikojmë në revista shkencore me impakt faktor, 10 arsyet e refuzimit dhe pranimit të punimeve shkencore, komunikimi ndërmjet redaktorëve dhe recensentëve si dhe hapat deri te redaktimi i suksesshëm.