Për subvencione kanë aplikuar 50 prodhues të qumështit

në kategorine Biznes/Ekonomi/Maqedoni

Pesëdhjetë prodhues të qumështit nga komuna e Dibrës dhe Qendrës Zhupa kanë aplikuar për subvencione. Mbështetja financiare është për qumështin e prodhuar dhe të dorëzuar të lopës dhe të dhenve në periudhën nga muaji maj deri në shtator të këtij viti.

“Për mbështetjen financiare për qumështin e dorëzuar në kapacitet përpunues kanë aplikuar 50 prodhues të qumështit. Për periudhën për të cilën do të paguhen subvencionet kanë dorëzuar nga 50 ton qumësht të lopës dhe të dhenve në muaj, nga i cili rreth 70 për qind është i lopës. Subvencionimi është 3,5 denarë për litër”, deklaroi Arben Muladauti udhëheqës i autorizuar i njësitit rajonal të MBPEU në Dibër, i cili me aktivitetin e tij e mbulon edhe komunën fqinj Qendra Zhupa.

Kooperativët qumështin e sheshin në qumështoren “Korab milk” në Dibër, e cila përveç qumështit të lopës përpunon edhe qumësht të dhenve.

Amvisëritë në komunat Dibër dhe Qendra Zhupa disponojnë me 1.300 kokë lopë që prodhojnë qumësht, por të gjithë pronarët nuk paraqiten për subvencione, Shumica e tyre disponojnë me numër të vogël për kokë lope dhe kështu qumështin e shesin individualisht.

Blegtorët disponojnë edhe me mbi 35 mijë kokë dhen, por shumica e tyre prodhojnë djathë të bardhë në mënyrë tradicionale, i cili është mjaftë i kërkuar në treg. Një pjesë e dhenve ose rreth 15.000 kokë të dhenve, periudhën e dimrit e kalojnë në rajonin e Pellagonisë, ndërsa të tjerët në vendet që i kanë ndërtuar blegtorët në rrethinën e Dibrës.