Peleshi: Zerimi i TVSH-së së inputeve të përkthehet në ulje të kostos të prodhimeve

në kategorine Shqipëri

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi zhvilloi sot një takim me tregtarët e inputeve bujqësore, për të parandaluar çdo spekulim e për të çuar uljen reale të çmimit të inputeve tek fermeri.

“Na bashkon të gjithëve interesi për të ndërtuar në Shqipëri një bujqësi kompetitive. Sa më kompetitive të jetë bujqësia, aq më mirë është për ju, pasi do të keni më shumë treg për të shitur farat, fidanët, plehrat kimike dhe pesticidet. Fermerët do të ndërtojnë një ekonomi më të mirë dhe të ardhura më të mira në fshat, por po ashtu do të përfitojë edhe qeveria sepse ky është sektori që jep 20% të PBB-së dhe punëson pothuaj 50% të shqiptarëve”, tha Peleshi.

Ai kërkoi që secili të marrë përsipër përgjegjësitë e veta dhe ta trajtojë këtë politikë të qeverisë në mbështetje të fermerit dhe uljes së kostos të prodhimit, si një mision të përbashkët.

Shpeshherë ka edhe spekulime, tha Peleshi, duke nënvizuar se “ka pasur plot raste ku një masë fiskale nuk ka dhënë efektin e pretenduar, sepse ka hyrë në mes spekulimi”.

Peleshi theksoi se “nuk është e lehtë të miratosh përjashtime fiskale, pasi për qeverinë ato do të thotë dhjetëra milionë euro të munguara në buxhet”.

“Nga ana tjetër ka shumë grupe të tjera interesi që pretendojnë më tepër nga qeveria. Kemi për shembull disa kërkesa të studentëve të artikuluara ditët e fundit, të cilët në të drejtën e tyre kërkojnë më shumë vëmendje. Padyshim edhe qeveria shqiptare është e interesuar të ketë më shumë investime për arsimin, gjithmonë e më tepër vëmendje për studentët dhe barrë sa më të ulët për arsimimin në Shqipëri. Por, buxheti është i limituar dhe nevojat janë gjithmonë e më të mëdha se sa mundësitë që ka çdo qeveri, edhe ato në vendet më të zhvilluara”, tha Peleshi.

Peleshi kujtoi që vetë tregtarët kishin kërkuar reduktim në 8% të TVSH-së për inputet bujqësore, ndërsa qeveria e tejkaloi pretendimin e tyre duke e zeruar TVSH-në.

“Kërkojmë nga ju të reflektoni sa më shpejt në çmim dhe të shmangni çdo lloj spekulimi për këtë përjashtim që po bëjmë nga TVSH-ja. Këtë ulje të kostos duhet ta përkthejmë sa më shpejt në ulje të kostos të prodhimit bujqësor për fermerët. Qëllimi është që bujqësia shqiptare të rrisë eksportet dhe të jetë konkurruese në tregje. Për këtë duhet të kemi kosto të ulëta dhe standarde të larta”, tha Peleshi.

Ai nënvizoi se Shqipëria sot është vendi me nivelin më të ulët të TVSH-së në gjithë rajonin dhe mbase në gjithë Europën.

“Ta kthejmë këtë masë në një masë që qëndrueshme. Nëse do të përkthehet me ulje të kostos do të jetë një masë shumë e qëndrueshme. Por në rast se do të ketë spekulime, qeveria në çdo moment është e detyruar të shikojë vendimet e veta”, tha Peleshi. /ATSH

Burimi: https://www.botasot.info/