MAKRADULI: Maqedonia shënon përparim në përballjen me ndryshimet klimatike

në kategorine Maqedoni

Maqedonia ka përparim jashtëzakonisht të mirë dhe sipas kritereve botërore bën pjesë në një nga 16 shtetet që janë ambicioze për klimën. Edhe pse nuk jemi anëtare e BE-së, ne i ndjekim standardet dhe rekomandimet e BE-së dhe kjo është sferë relativisht e mirë në të cilën kemi përparuar falë bashkëpunimit që e kemi me komunitetin akademik, para së gjithash me ASHAM-in, UNDP-në, njësinë projektuese që kujdeset për ndryshimet klimatike. Mund të jemi krenarë për arritjet në këtë sferë.

Këtë sot e deklaroi zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli para fillimit të punëtorisë “Ndryshimet klimatike-realitet apo iluzion” që po mbahet në Muzeun e iluzioneve në Shkup në bashkëpunim me Programin për zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Ai përkujtoi se për momentin ekspertët, politikanët, organizatat joqeveritare ndodhen në qytetin polak Katovice në Forumin botëror për ndryshimet klimatike.

“Na mbetet neve të kyçemi në luftën kundër ndryshimeve klimatike, ndërsa porosia themelore e cila vjen nga Katovica është thirrja për aksion të përbashkët të të gjithëve. Kjo punë nuk është e një individi dhe ajo shkon në korelacion me politikat që i kemi ne në MMJPH për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, tha Makraduli.

Duke u përgjigjur në pyetje të deputetëve, zëvendësministri tha se MMJPH do të dhurojë një aplikacion në të cilin do të publikohen të gjitha kompanitë që kanë leje legale A dhe B që të informohen qytetarët. Makraduli theksoi se i përshëndetë aksionet e inspektorateve dhe të komunave në Shkup.

I pyetur përse nuk punojnë stacionet matëse në Lisiçe të Re dhe në Gazi Babë, Makraduli tha se stacionet matëse punojnë, ndërkaq nuk punon vetëm një instrument brenda në stacionin matës. Shtoi se kjo nuk ka penguar kur është tejkaluar pragu për ta informuar opinionin. Është më mirë kur të hiqen ndotësit, atëherë, siç tha, nuk do të na duhen stacionet matëse.