SELA: Kërkesat shqiptare në Kushtetutë do ta forconin stabilitetin politik

në kategorine Maqedoni

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në selinë e OSBE-së në Shkup, sot, ka takuar Shefin e misionit të OSBE-së për Maqedoni, Ambasadorin Klemens Koja.

Sela, siç thuhet në kumtesën e Departamentit për informim të Aleancës për Shqiptarët, e ka njoftuar nga afër ambasadorin  Koja për aktualitetet politike në vend si dhe për kontributin e ASH-së në interes të perspektivës euro-atlantike.

Ai gjithashtu ka falënderuar Ambasadorin Koja për rolin politik të Misionit të OSBE-së në Maqedoni për vite me radhë si organizatë shumë e rëndësishme që ka kontribuar shumë në jetën politike në Maqedoni për përparimin konstruktiv të raporteve ndëretnike, për përkrahjen për kontributin e OSBE në kuadër të realizimit të reformave në lëminë e zgjedhjeve dhe vëzhgimin e tyre për një proces demokratik zgjedhor.

Sela gjatë takimit, siç thuhet më tej në kumtesë, i ka kërkuar shefit të OSBE-së, të rrisë trysninë ndaj Qeverisë për reformat e paralajmëruara në Drejtësi, në luftën kundër korrupsionit si dhe në harmonizimin e ligjeve ekzistuese me ato të BE-së.

Ai gjithashtu ka informuar Ambasadorin e OSBE-edhe për amendamentet e ASH-së për ndryshimet Kushtetuese duke vlerësuar, siç shtohet, se kërkesat shqiptare në Kushtetutë do ta forconin stabilitetin politik në Maqedoni dhe kjo do të përshpejtonte edhe procesin e integrimit në NATO dhe BE.