Luftimi i korrupsionit, Deralla: Beteja duhet nisur nga institucionet

në kategorine Maqedoni

Për të luftuar këtë fenomen, shoqëria civile në aktivitetin e nisur me temë “Për shoqëri të çliruar nga korrupsioni”, propozon që beteja të fillojë nga institucionet.

“Sfida për luftimin e korrupsionit do të duhet të nisë në institucione, megjithatë partitë politike nuk mund të anashkalohen nga përgjegjësia, pasi që ato me robërimin e sistemit dhe të shoqërisë, janë motorë të korrupsionit”,- tha Xhabir Deralla nga “Civil”.

Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se ligji i ri parashikon masa dhe aktivitete për parandalimin e korrupsionit, duke përforcuar Komisionin Anti-korrupsion në ushtrimin e detyrës.

“Zgjidhja e re ligjore parashikon kritere të përforcuara për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Anti-korrupsion dhe kritere të qarta për shkarkimin e tyre. Propozohet përforcim i Komisionit në kontrollin e financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Edhe nga Komisioni Anti-korrpsion ligjin e shohin si zgjidhje solide në drejtim të sigurimit të një komisioni objektiv, efikas dhe të pavarur nga ndikimet politike. Por, profesoresha universitare, Mirjana Najçevska, thotë se nuk ka nevojë për ligje të reja, por për njerëz të cilët seriozisht do t’i qasen kësaj sfide.

“Gjithçka është shkruar mirë por ne na duhen njerëz të cilët do të mund që këtë ta bëjnë dhe na duhet pushtet i cili me të vërtetë dëshiron që të luftojë korrupsionin. Gjithçka fillon nga trupi i fuqishëm anti-korrupsion, i cili do të ketë ingerenca shumë më të mëdha nga këto që janë parashikuar në ligj”,- tha profesoresha universitare, Mirjana Najçevska.

Sektori civil gjithashtu konsideron se duhet rritur vetëdija e qytetarëve dhe inkurajimin e tyre për paraqitjen e rasteve korruptive.