ANP pati 2 milionë udhëtarë, Serbia dezinformon se është i mbyllur

në kategorine Biznes/Ekonomi

Propaganda e paskrupullt e Serbisë nuk ka të ndalur në të gjitha drejtimet. Kështu ka thënë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, pasi shteti fqinj iu ka dërguar informata të pavërteta aviokompanive të ndryshme se kinse, Aeroporti Ndërkombëtar, “Adem Jashari” është i mbyllur që nga viti 1999.

Kjo sipas Lekajt, bëhet me qëllimin më të keq, për dëmtimin e imazhit të Republikës së Kosovës.

“Kjo jo vetëm që është qesharake por për më tepër, është një tregues se sa shumë është në gjendje ta rrezikoj jetën e qytetarëve të vendeve të ndryshme si pasojë e keqinformimit të aeroplanëve nga ana e Autoritetit të Aviacionit Civil të Serbisë, apo siç është rasti më eklatant dhe më jo human, që nuk i është dhënë leje për aterrim emergjent aeroplanit, në të cilin ka qenë një grua shtatzënë, ky mjerisht nuk është rasti i vetëm kur Serbia ka vepruar kështu”.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, jo vetëm që nuk është i mbyllur por këtë vit edhe ka pranuar mbi 2 milionë udhëtarë të vendeve të ndryshme që kanë ardhur në Kosovë, ose kanë shkuar nga Kosova duke e shfrytëzuar ketë Aeroport, ka theksuar kreu i MI-së.

“Ajo që kërkojmë nga Autoritetet Evropiane të Aviacionit Civil është që t’i reagojnë shtetit të Serbisë dhe e njëjta, njëherë e përgjithmonë, ta ndalë këtë propagandë e cila jo vetëm që nuk përkon me të qenurit korrekt në relacionet Kosovë – Serbi por mund të rrezikojë seriozisht jetën e pasagjerëve që udhëtojnë me aviokompani të ndryshme”.

“Ne i bëjmë me dije Serbisë dhe të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare, se nëse ndodh diçka e keqe në këtë drejtim, tërë përgjegjësia do të bjerë mbi ketë shtet i cili përmes institucioneve të tij dezinformon me qëllimin më të keq të mundshëm”, thuhet në reagimin e ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj. ​

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com