MBPEU: Nëse vjen deri te rritja drastike e çmimeve edhe të llojeve tjera të bukës, do të intervenojmë menjëherë

në kategorine Maqedoni

Ndryshimi i çmimit të bukës ka të bëjë me një lloj të bukës dhe korrigjimin e kanë bërë tre kompani prodhuese të bukës në Shkup dhe një kompani nga Tetova. Deri në këtë moment kompanitë e mëdha nuk e kanë rritur çmimin e bukës, informoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU).

Të gjitha informacionet e tjera, shtojnë nga MBPEU, janë manipulime me opinionin.

“Nëse vjen drejt rritjes drastike të çmimeve edhe të llojeve të tjera të bukës, gjë që do të ndikonte ndaj shtrenjtimit të standardit jetësor, MBPEU menjëherë do të intervenojë përmes Agjencisë për rezerva të mallrave, e cila pas të korrave bëri furnizim publik prej 13.000 tonë grurë. Në këtë mënyrë do të intervenohet në tregun e stabilizimit të çmimit të bukës. Grupi ndërdikasterial në kuadër të MBPEU tashmë është duke bërë analizë e ndjek gjendjen në treg dhe këtë javë do të mbahet takim me bujqit prodhues të grurit dhe me mullisët”, porosisin nga Ministria.

Theksojnë se gruri është produkt i bursës dhe çmimin e dikton bursa botërore. Vitin e kaluar edhe këtë vit, sqarojnë, për shkak të ndryshimeve klimaterike pati rendiment më të vogël, që në mjedis shkaktoi mungesë të grurit dhe rritje të çmimit të grurit dhe miellit, që mund të jetë një prej arsyeve për të cilat disa kompani sollën vendim për rritjen e çmimit të një lloji të bukës prej 15 në 18 denarë.