Ekspozita “Dhjetë fjalë” hap Javën e Gjuhës Italiane

në kategorine Kulturë nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në hapjen e Javës së Gjuhës Italiane në botë dhe të ekspozitës me fotografi “Dieci Parole – Ten Words Design”.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se në kuadër të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, përmes ekspozitës po përçohet një mesazh shumë i veçantë.
“Për mua nuk është vetëm një mesazh i mirë që vjen sot nga Italia. Është diçka e re në përvojën tonë, në kremtimin e aktiviteteve të përbashkëta. Kosova është e gatshme për më shumë Itali në vend dhe mendoj që gjuha ndihmon në këtë drejtim. Kosova ka dëshmuar që është shoqëri e hapur, por edhe shumë e interesuar të përjetoj dhe shkëmbej në art dhe kulturë me vendet dhe kombet tjera”, tha kryeministri Haradinaj.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, tha se me hapjen e kësaj ekspozite shënohet edhe fillimi i Javës së Gjuhës Italiane në Prishtinë.
Ekspozita ““Dieci Parole” (Dhjetë Fjalë) shënon fillimin e Javës së Gjuhës dhe Kulturës Italiane dhe organizohet së bashku me Ambasadën e Zvicrës, pasi që gjuha italiane është një nga gjuhët zyrtare në Zvicër.
Sardi shpjegoi se titulli “Dhjetë fjalë” nënkupton se artistë dhe dizajnerë industrialë nga Italia kanë shprehur përshtypjet dhe ndjenjat e tyre bazuar në 10 fjalë: Ideja, intuita, projekti, forma, inovacioni, hulumtimi, vizioni, e ardhmja, ndërveprimi dhe etika.