Një shkrim që nuk ia vlen të lexohet

në kategorine Opinione nga

Muzikën klasike e cilësojnë shpesh funebre. “Ça është kjo muzikë, kush vdiq?” Kjo është pyetja e pjesës dërmuese të të rinjve sot, nëse të “kapin” duke bërë paturpësi si të dëgjuarit e muzikës klasike. Ndaj them nuk ia vlen të lexohet ky shkrim. Se flet për të, për muzikën që nuk ia vlen të dëgjohet!
Por e dini fuqinë e notave të vërteta? E dini se ku të shpie muzika?
Para pak netësh te Universiteti i Arteve luanin violonçelisti Vlorent Xhafaj, pianisti Zamir Kabo dhe klarinetisti gjerman Fabian Dirr. Filluan.
Sytë s’e di nga shkonin por mendja po më fluturonte. Një tingull pianoje, një gërvishtje në violonçel apo një frymëmarrje klarinete dhe para syve më kalonte një çast fëmijërie.
M’u kujtua hera e parë kur hipa në tren. Nga Tirana në Lezhë. Çfarë qejfi! Era më merrte flokët, e unë varesha në dritare duke parë fushat që ua tundte barin era.
Një tingull tjetër dhe para syve m’u shfaqën gardhet e drunjta të shtëpisë. Madje m’u kujtua dhe Tom Sojeri duke lyer gardhin. E mbaj mend si sot, e kam lexuar në një mesditë të nxehtë kryeqytetase. Isha arratisur nga “detyrimi” prindëror për të fjetur në mesditë.
Pastaj m’u kujtua burri që ruante (kulloste) një lopë. Ne si fëmijë të prapë myslimanësh e katolikësh nuk e linin rehat të lexonte një libër të pakuptueshëm për ne. Ramazan e quajtëm, Kuranin lexonte. Kur kishte lekë na jepte ndonjë qindarkë. Ndonjë njëqind a dyqind lekësh. E ne ëmbëlsoheshim me akullore e çokollata, pa ditur se na kishte ëmbëlsuar shpirtërat.
Për një çast muzika u ndal nga duartrokitjet e shumta. Kur nisi sërish, aq qetë sa një valë deti në një mesditë korriku, m’u kujtuan netët e dimrit. Atëherë kur na zinte gjumi në divan thuajse gjithnjë nën shoqërinë e “Opinionit”.
Tingull pas tingulli kujtoja dëshirën që kishim për të pirë kafe fshehurazi, se gjasme fëmijëve u bënte dëm. 
Po kur motra shkoi në ekskursion në Dajt dhe unë ngaqë e shihja malin nga shtëpia, mendoja se edhe ajo e sheh shtëpinë nga Dajti…Prita e prita me orë të tëra.
M’u kujtua gjyshja. Ishim të dyja të sëmura. Ajo në një krevat unë në tjetrin. Gjithë ditën flisnim. Më kujtohen rrezet e diellit që hynin fshehurazi nga dritarja plot me trëndafila.

Po cila këngë që transmetohet me qindra herë në pjesën më të madhe në lokalet e Tiranës, të fut ne mendime? Ato veç zhurmojnë, priren të ta vdesin mendimin. Flasin për trimëri, dashuri me makina luksi e zhgënjime. Nuk të lënë mundësinë t’ia realizosh klipin me mendje, nëpër hapat që hodhe atëherë kur ishe më i lumturi në botë, atëherë kur ishe fëmijë….

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com