Banorët e Kërçovës të interesuar për vaksinim kundër gripit sezonal

në kategorine Maqedoni nga

Në Repartin rajonal në Kërçovë deri dje  janë shpenzuar 170 vaksina falas kundër gripit sezonal, të destinuara për personat e moshës mbi 65 vjeç dhe me pensione më të ulëta. Dr. Elizabeta Kërsteva, drejtoreshë e Qendrës për Shëndet Publik në Manastir,  nën kompetencë të së cilës është reparti rajonal në Kërçovë, deklaroi se është i madh interesi për vaksinat  komerciale  të cilat paguhen.

“Kemi planifikuar 800 vaksina falas, të cilat u jepen personave më të moshuar se 65 vjet dhe personat me të ardhura  më të ulëta, por me  udhëzim nga mjeku amë.  Deri dje vaksina falas janë shpenzuar 170,  derisa për ato komerciale kemi interesim  më të madh dhe janë harxhuar 250 nga 400, aq sa kemi rezerva në Kërçovë. Ato paguhen nga 650 denarë për vaksinë”, deklaroi Kërsteva.

Vaksinimi kundër gripit sezonal filloi të hënën në të gjithë shtetin. Këtë vit janë siguruar  41.000 doza vaksina të reja katervalente. Prej tyre 28.000 janë falas dhe janë destinuar për personat e moshës mbi 65 vjet me pension mesatar dhe nënmesatar dhe për ato që nuk kanë pension. Ministria e Shëndetësisë i furnizoi vaksinat  nga kompania  farmaceutike franceze “Sanofi Paster”. Vaksinimi kundër gripit sezonal rekomandohet  për personat e sëmurë kronik dhe më të moshuar.