Filloi ndërtimi i rezervuarit të dytë për ujë në Labunisht

në kategorine Maqedoni nga

Filloi ndërtimi i rezervuarit të dytë të ujit të pijshëm në fshatin Labunisht me kapacitet prej 700 metër kub. Për realizimin e këtij projekti, komuna e Strugës ka ndarë rreth tetë milionë denarë, ndërsa rreth katër milionë denarë tjera janë investim i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Në vendosjen e gur-themelit për ndërtimin e rezervuarit sot morën pjesë kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, shefi i kabinetit Dashmir Nasufi, deputeti Agim Shaqiri dhe funksionarë tjerë nga pushteti qendror dhe lokal. Ky, siç sqaroi kryetari i komunës Merko, është rezervuari i dytë për ujë në Labunisht, që tërësisht do t’i kënaq nevojat e banorëve të këtij fshati me ujë të pastër për pirje.

“Ky është vetëm fillimi. Komuna do të vazhdojë me realizimin e projekteve të reja në Labunisht, por edhe në vende tjera të banuara. Do të mundohemi t’i kënaqim nevojat e popullatës për jetë më të mirë dhe më të rehatshëm në komunën e Strugës”, theksoi Merko.

Punët ndërtimore, paralajmëroi, do t’i kryejë ndërmarrja ERR-KOP nga Labunishti. Kontraktuesi deri më tani ka punuar në zgjerimin e rrugës për kalim më të lehtë dhe më të sigurt deri te vendi ku do të jetë rezervuari për ujë. Në kuadër të vizitës në Labunisht, kryetari i komunës ka kryer kontroll edhe në punët ndërtimore të sallës sportive në fshat, ku është vendosur baza, ndërsa prej nesër të fillojë vendosja e shtyllave të hekurta për ndërtim.