Rrëshqitja fiskale, pakt me djallin?

në kategorine Biznes/Opinione

Kur njeriu rrëshqet, zakonisht ndodh padashur. Ndoshta edhe qeveria jonë po rrezikon të rrëshqasë me financat e saj publike… padashur.

Nga Fatos Çoçoli

Nota e dhënë pesë ditë më parë nga Agjencia Ndërkombëtare “Standard & Poor’s” e vlerësimit të kredive për ekonomi shtetërore dhe kompani të mëdha private ishte mirëfilli shumë pozitive. Por, për herë të parë pas 9 viteve që kjo agjenci vlerëson ekonominë tonë, në tërësi pozitivisht, festën e ditirambeve qeveritare e prishi një frazë e pazakontë në fund: “Ne mund të ndërmarrim një veprim negativ të vlerësimit, nëse vëzhgojmë rrëshqitje fiskale materiale, që rezultojnë nga deficite më të larta fiskale, ose materializim të detyrimeve kontingjente nga projektet PPP…”.

Gjithnjë kjo kompani, sikurse edhe “Moody’s” (kompania tjetër e madhe ndërkombëtare e vlerësimeve) është shprehur në fund se, “ne mund të ulim vlerësimin”… Por asnjëherë “ne mund të nxjerrim një vlerësim negativ”. Ç’do të thonë këto fjalë-helm, në një gjuhë më të kuptueshme për qytetarin? Rrëshqitja fiskale nënkupton që ti si qeveri detyrohesh të ngresh sa s’mban më borxhin tënd publik nga të ardhurat më të pakta që vjel, ose nga pagesat e rritura vërtik nga koncesionet dhe partneritetet publik-privat dhe… rrëshqet! Pra, këmbët nuk të mbajnë. Askush më nuk të jep borxh në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, sado që të kërkosh. Qeverisë sonë dhe vendit tonë, Shqipërisë, këtë situatë nuk do t’ia uronim kurrë.

Por ja që kompania më me emër e vlerësimit të nivelit të borxheve në botë, “Standard & Poor’s” paralajmëron për një skenar të tillë. Përse? Askush nuk sulmon Partneritetin Publik-Privat si formë për të investuar në një të mirë apo shërbim publik, duke përdorur paratë e privatit, ngaqë shteti në atë moment mund të mos ketë fonde mjaftueshëm. Por kur kjo formë me aq shumë probleme në vetë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian shndërrohet në një lumë të rrëmbyeshëm nga ku dalin, të shtrira në kohë, paratë e Buxhetit tonë të Shtetit (pra paratë e të gjithëve, për shembull, projekti 1 miliard euro investime publike i qeverisë sonë që po materializohet këtë vit), atëherë formula aq e kritikueshme në vetë BE-në e zhvilluar mund kthehet në makth tek ne.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në 6 mars 2018, në një veprim të pashoq më parë kërkoi nëpërmjet Shefit të Misionit të tij në Tiranë ndalimin e pranimit nga qeveria jonë të ofertave të pakërkuara. Këto oferta janë kur një biznes i kërkon qeverisë një koncesion apo Partneritet Publik-Privat (PPP), pa e hedhur ajo më parë në ankand. FMN kërkoi pezullimin e përkohshëm të koncesioneve jokonkurruese. Të njëjtën gjë e bëri dy javë më vonë, më 20 mars 2018, ambasadori Lu, një institucion i fjalës së lirë dhe së vërtetës tek ne.

Pezullimin e përkohshëm të koncesioneve dhe Partneriteteve Publik-Privat, për t’i dhënë kohë diskutimit të gjerë dhe profesional për to, e kërkoi me forcë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit (“Për zbatimin pa kushte nga qeveria të rekomandimeve të FMN-së”, Bujar Leskaj, shkrim tek “Gazeta Shqiptare”, 31 mars 2018). Ndërkohë që pezullimi i përkohshëm i tyre dhe rishikimi i qasjes me koncesionet dhe PPP-të kërkohej nga auditimi i jashtëm publik i vendit, nga FMN, Banka Botërore dhe Ambasada Amerikane, qeveria mendoi të mos kthente përgjigje, por të vepronte.

Deri në mesin e korrikut 2018, ajo u dha kompanive private katër koncesione 13-vjeçare jotransparente (për tipin dhe përmbajtjen e kontratave të tyre dihet shumë pak): Rruga e Arbrit, rruga Thumanë- Kashar, rruga Milot-Balldren dhe rruga Orikum-Dukat, me një kosto të përgjithshme rreth 712 milionë euro. Por cilave kompani? Në mes tyre nuk ka asnjë investues strategjik të huaj, kompani e njohur gjermane apo amerikane, për shembull. Por a u zhvilluan procedurat e tenderit për këto koncesione të hapura dhe korrekte? Për këtë flet në mënyrë jo të drejtpërdrejtë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit i datës 29 korrik 2018, për klimën e investimeve tek ne. “Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme”, thotë ky raport.

Është shumë i drejtpërdrejtë. Ndryshe nga qëndrimi i politikanëve evropianoperëndimorë, madje edhe i atyre gjermanë, që është disi i kujdesshëm kur flitet për interesat investuese të kompanive private të vendeve të tyre në vendet e rajonit. Amerikanët flasin troç. Dhe kjo na ndihmon ne qytetarëve të këtij vendi, ku qeveritë tradicionalisht kanë qenë shumë pak transparente për koncesionet që kanë dhënë, për të mos u përballur me llogaridhënien publike, të kuptojmë lojën e qeverisë sonë. Na duket se ajo po luan një lojë të rëndë. Praktikisht po luan me djallin. Po pse? Sepse mungesa prej disa vitesh tashmë e pjesëmarrjes së kompanive me emër perëndimore në projektet tona të infrastrukturës ngre një pikëpyetje të madhe.

Dikush mund të thotë se “po mirë, kompanitë tona vendëse ndërtuese janë konsoliduar dhe i fitojnë tenderat ato”. Sa mirë do të ishte të kishte qenë vërtet kështu! Mirëpo, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit i datës 29 korrik 2018 tregon një situatë shumë më të rëndë. “Investitorët  raportojnë shqetësime të vazhdueshme, pasi rregulluesit e shtetit në Shqipëri përdorin legjislacionin dhe rregulloret e vështira  për t’u interpretuar, si mjete për të dekurajuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën”, thotë ai.

Një fjalë e urtë e mendësisë anglo-saksone të respektimit të kontratave thotë “Djalli fshihet në detaje”. Janë pikërisht detajet që nuk dalin kurrë nga kontratat që lidhen, që na shtyn si qytetarë të dyshojmë se qeveria vërtet po luan rëndë. Po e paralajmëron KLSH, FMN, Banka Botërore, Ambasada Amerikane këtu, “Standard & Poor’s” me vlerësimin e saj vjetor. Praktikisht, të gjithë ata që janë profesionistë dhe ia duan të mirën. Kanë të drejtë ata, apo qeveria që vazhdon me programin e saj të koncesioneve dhe PPP-ve që mund të rezultojnë shumë problematike?

Ndoshta dikush prej nesh mund të shprehet: “Po ne çfarë na duhet kjo lojë në kupolë? Le të hanë kokën e njëri-tjetrit!”. Na duhet dhe na duhet shumë. Sot si qytetarë paguajmë rreth 420 milionë euro më shumë taksa se pesë vite më parë, pikërisht për shkak të këtyre 200 koncesioneve dhe kontratave PPP, që Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se deri në fund të vitit 2017, qeveria jonë i ka dhënë (kemi pasur dhe kemi qeveri që nuk lodhen kurrë që të na raportojë ndonjëherë sa koncesione dhe PPP kanë dhënë, si dhe cilat janë përfitimet e deritanishme dhe kostot për qytetarët!).

Dimë vetëm që gjatë vitit 2017, për shembull, Buxhetit tonë të Shtetit, për një kontroll shëndeti “Check-up” që çdo qytetar duhet ta merrte falas, iu desh t’i paguajë koncesionarit privat 84% më shumë se çmimi i përcaktuar në kontratë, pasi “Check –up” falas gjatë vitit të kaluar kreu vetëm 67% të kontrolleve të programuara dhe këtë vit duket akoma dhe më keq.

Akoma mendoni se nuk po dalin në dritë brirët e djallit?! Me koncesionet dhe PPP-të e reja që po jepen lumë, sipas edhe përllogaritjeve të FMN-së, i bie që në katër vitet e ardhshme, deri në fund të vitit 2021, të paguajmë edhe rreth 250 milionë euro të tjera më shumë, në formën e taksave të shtuara, për të përballuar këstet e pagesave të këtyre investimeve të reja që shlyhen për 13 vite. Prandaj duhet t’i mbajmë sytë hapur si qytetarë dhe opinion publik, pse qeveria jonë duket se gjithçka po bën, por jo që të na informojë me korrektësi dhe hapur për lëvizjet e saj me rrezik të lartë rrëshqitjeje.

Burimi:gsh.al