Për ca të çartur andej dhe këndej Drinit që po frymëzojnë përçarjen kombëtare nga shezlloni

në kategorine Opinione

Pothuajse në prag të çdo vere për dy gjëra jam mëse i sigurt që do ngjasin gjatë stinës: E para përhapja e virozës tipike nga ndryshimet klimaterike dhe e dyta përplasjet e disa shqiptarëve andej dhe këndej Drinit që nisin të ngacmohen mbi cilësinë e turizmit dhe përfundojnë duke u zënë për çështje më të thella.  

Nga Andrea Danglli

Nëse për virusin stinor dimë me garanci se ka një vaksinë efikase që shëron simptomat, për këtë gripin kombëtar ende nuk kemi rënë në ujdi se cili është ilaçi i duhur që do t’ia rigjenerojë gjymtyrët e masakruara me zanafillë nga Konferenca e Londrës dhe deri më sot.  

Në të shkuarën mund t’ju siguroj se këtë temë për të cilën po shkruaj, e trajtoja si një shaka të kripur tavoline me miq nga Prishtina dhe Tirana. Kujtoj se i thosha se nuk ndahet shpirtërisht Kosova dhe Shqipëria se pse ja hodhëm disa qindarka tek çadra në Durrës apo na i hodhën tek pazari në Prizren, ja shitëm shtrenjtë birrën apo na i drodhën tek vera, urinoi në det apo i urinuam në rrugë.   

Dikur na dukeshin barcaleta, ndërsa sot si për ironi ajo që na bënte të shkriheshim gazit është shndërruar në më politike, më irracionale, më e kokolepsur dhe më e frymëzuar nga klane të caktuar që mbulojnë nën mëngë interesa konkrete. Këta të fundit duket se po e realizojnë më së miri skenarin e tyre ku edhe moti i keq që ka trazuar demokracitë në Ballkan, i favorizon si zëra duke rritur hendekun “Tiranë-Prishtinë”.  

Po le t’i marrim plagët e vjetra dhe të reja një e nga një:  

Gjatë gjithë këtyre viteve vërtet ka pasur ankesa për turizmin dhe shpesh me të drejtë thuhet se ndaj shqiptarëve të Kosovës abuzohet tek çmimet. Gjysmë e vërtetë është që teprohet, por jo vetëm me ta. Kështu ja hedhin korçarit që vjen në Tiranë, tiransit që shkon në Lalëz, prishtinaliut që udhëton në Prizren, gjakovarit që viziton Durrësin, vlonjatit që shikon Pejën.  

Fatkeqësisht kjo është kthyer në “zakon” tek viset tona ku “e hedhura” për ata që e praktikojnë s’njeh as krahinë, as gjuhë, as fe dhe as nëse je i Kosovës apo je i Shqipërisë, nëse je i Hasit apo je i Skraparit. Thjesht dikush i uritur për para, nuhat “prenë” e tij dhe kur e sheh të dobët e fut në grackë. Po a mund të përfaqësojë ai/ajo vendimin e një populli për të dashur ose jo vëllezërit dhe motrat që ngelën jashtë kufijve?!  

Nëse ka më shumë histori me kosovarë, kjo lidhet me numrin e vizitorëve dhe me hiperbolizimin që i japin prozhektorët mediatik. Duhet thënë se gjatë verës mediumet arrijnë kulmin e thatësirës informative dhe janë gati të nxjerrë qoftë jashtëqitje në ekran për të kapur audiencën e munguar. 

Të jeni të sigurt se çdo ditë ka raportime edhe nga shqiptarët këtej luginës së Drinit për omletën e shtrenjtë, për makiaton e kripur, për vezën e pazjerrë dhe për qepën djegëse. Ashtu siç ka ankesa edhe nga ata që vizitojnë Kosovën. Por si do t’i përkthejmë këto zëra: Që ne nuk e duam njëri-tjetrin apo që disa kamarierë të uritur dhe disa biznese të pangopur mundohen të nxjerrin ndonjë lek?!  

Nëse vazhdojmë të mendojmë se vija bregdetare po bojkotohet prej urrejtjes ndaj Kosovës, ky do ishte zhgënjimi më i madh që mund të marr nga kushdo që do e dëgjoja ta artikulojë. Kësaj i thonë që për arsye qesharake të ngresh nga rrënojat murin për të cilin qindra atdhetar sakrifikuan ta rrëzojnë dhe mbase ende nuk i janë tretur eshtrat në varr. 

S’është çështja tek një faturë e  ekzagjeruar që mund ta marrësh si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, as tek ndonjë nofkë që çdo krahinë e Shqipërisë e ka. Çështja është se elementë kaq të vegjël në dukje po fabrikojnë debate të cilat u shërbejnë veç atyre që shqiptarët u intereson t’i shohin të përçarë. Dhe këta s’janë pak. Që prej kohës së Rilindjes Kombëtare kanë qenë mes nesh dhe vijojnë ende veprimtarinë e tyre. 

Veçse ndryshe nga dje, sot nuk njihen dhe aq lehtë; kanë veshur kostume diplomatike, maska politike, ngjyra portalesh, fonde OJF-sh, etj, që synojnë të promovojnë sjelljet tona përçarëse për të realizuar qëllimet e tyre të mbrapshta. Dashur pa dashur, ashtu si pa e kuptuar ne shndërrohemi në shërbëtorë të tyre për t’i fryrë ndasisë Kosovë-Shqipëri.  

Këtë po e bëjmë duke i drejtuar gishtin njëri-tjetrit si hajdutë në një kohë kur harrojmë t’i tërheqim veshin të zgjedhurve tanë që janë shndërruar në monarkë dhe po na zhvatin edhe astarin e xhepit.   

Jo! Elementet që na tërheqin janë më të mëdha se ato që na ndajnë, ndaj përtej faturave të lokaleve, epiteteve krahinore dhe hatërmbetjeve bregdetare, kemi si detyrim moral një faturë më të madhe për t’i paguar historisë.  

Këtë të fundit se kanë fshirë luftëra ndër shekuj, gjenocide të përgjakshme, traktate ndërkombëtarësh, dhe s’besoj se do ta shuajë një apo shumë kamarierë, recepsionistë apo punonjës të turizmit.  

Që Kosova ka qenë dhe ngel qysh prej vitit 1912 ABC-ja e diplomacisë shqiptare, kjo nuk mund të eklipsohet nga “derrat” te cilët nga pylli po i fusin nëpër studio televizive dhe portale.  

Duke ndjekur linjën e tyre të mendimit, po na tall e tashmja, do na përqeshë e ardhmja dhe do na nxjerrin gjuhë e dhëmbë miq e armiq kur të shohin që u ndanë se pse tek plazhi i Golemit dikush e mori zhezllonin dhjetë lekë më shumë. Nganjëherë duket se këto  mendje të paditura, nuk  ka as profetë, as doktorë, as politikanë dhe as shërbime sekrete që  mund t’i parandalojë dhe kjo është frika më e madhe ndaj të cilës duhet reaguar.  

Nëse do vazhdojnë të artikulohen nga këto broçkulla si mesazhe përçarëse Kosovë-Shqipëri, atëherë të paktën ta qepim gojën dhe të mos kujtojmë të parët tanë që dëshpërimisht ua kemi harruar amanetin. 

Burimi:gsh.al