Biber: Bojkotimi i referendumit do të jetë sabotim i Marrëveshjes së Prespës

në kategorine Maqedoni

Marrëveshja e Prespës për emrin meriton mbështetje të gjerë shoqërore dhe politike. Është për keqardhje që opozita dhe Presidenti nuk e panë rëndësinë e marrëveshjes dhe e shfrytëzojnë për pikë politike, thotë, Florijan Biber, ekspert për Ballkanin dhe profesor në Universitetin e Gracit.

“Marrëveshja e tillë në kuptimin ideal duhet të ketë mbështetje të gjerë shoqërore dhe politike. Është për keqardhje që opozita dhe Presidenti nuk e panë rëndësinë e marrëveshjes dhe e shfrytëzojnë për fitim të pikëve politike. Ideja për bojkotimin e referendumit është gjithashtu hap i ulët, sepse nuk ka për qëllim ta kontrollojë mbështetjen te popullsia, por vetëm ta sabotojë marrëveshje. Opozita në Mal të Zi veproi me shumë pjekuri kur e mbështeti referendumin për pavarësi dhe nuk bëri thirrje për bojkot”, thotë Biber i pyetur nëse përçarja politike në vend mund të shkaktojë jostabilitet dhe komprometim të marrëveshjes dhe referendumit.

Lidhur me akuzat e shumta për involvimin rus në Ballkan dhe për tentimet  për minim të marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, Biber thotë se Rusia tashmë një kohë të gjatë punon në krijimin e pengesave në rajon që ndalojë zgjerimin e NATO-s dhe BE-së. Sipas tij, mënyra më e mirë t’i kundërvihemi politikës së tillë destruktive është të ofrohet alternativë pozitive dhe të tregohet si funksionin politika ruse  anti-NATO dhe anti-BE dhe si të vetëquajturat grupe dhe media  patriotike në të vërtetë bashkëpunojnë me Moskën promovojnë jostabilitet.

I pyetur çka nëse kryeministri grek detyrohet të parashtrojë dorëheqje, pas kritikave të shumta për shkak zjarreve, dhe si do të pasqyrohet kjo në implementimin e tërësishëm të marrëveshjes, Biber vlerëson se në rast të dorëheqjes së Ciprasit, pasojat e çdo qeverie të ardhshme në Greqi do të ishin të mëdha nëse dëshiron të tërhiqet nga marrëveshja. Sipas tij, Maqedonia ka fituar kapital të madh politikë në mbarë Evropën për shkak vullnetit të mirë që e ka treguar në negociatat për kontestin me emrin dhe tani është kyçe që procesi i implementimit të kalojë referendumi dhe amendamentet kushtetuese në Maqedoni.

Pret mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, BE-ja dhe NATO për referendumin përmes theksimit të përfitimeve nga marrëveshja, por është i përpiktë se qeveritë në të dyja vendet janë ato të cilat duhet ta bindin opinionin pse duhet ta mbështesin marrëveshjen. BE-ja dhe Aleanca këtë tashmë e kanë bërë, thotë, me dhënien e datës për fillimin e negociatave, gjegjësisht me ftesën për anëtarësim.

Në vijim është intervista e plotë e Florijan Biber:

Marrëveshja nga Prespa për kontestin për emrin e kaloi filtrin e Kuvendit në Maqedoni, por pa mbështetje të VMRO-DPMNE-së opozitare. Kundër marrëveshjes është edhe presidenti Gjorge Ivanov. Hap i cili pason në implementimin e Marrëveshjes është referendumi. A mundet  ndarja politike të shkaktojë jostabilitet dhe komprometim të marrëveshjes dhe referendumit?

– Një marrëveshje e këtillë në kuptimin ideal do të mund të ketë mbështetje të gjerë shoqërore dhe politike. Është për të ardhur keq që opozita dhe Presidenti nuk e panë rëndësinë e marrëveshjes dhe e shfrytëzojnë për marrjen e pikëve politike. Ideja për bojkotim të referendumit është gjithashtu hap i lirë, për shkak se nuk ka për qëllim që ta verifikojë mbështetjen tek popullata, por vetëm ta sabotojë marrëveshjen. Opozita në Mal të Zi veproi në mënyrë shumë më të pjekur kur e mbështeti referendumin për pavarësi dhe nuk bëri thirrje për bojkot.

Rusia qartë tregon se është kundër zgjerimit të NATO-s, ndërsa në këtë kontekst edhe të pranimit të Maqedonisë. Ka akuzime të shumta për përzierjen ruse në Ballkan dhe për tentime për minimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë. Sa janë reale këto kanosje ruse dhe si të pengohen?

– Rusia tanimë një kohë është prishës i gjërave, duke kërkuar mënyra që të krijojë pengesa në rajon që ta pengojnë zgjerimin e NATO-s dhe BE-së. Në esencë, ata nuk kanë të ofrojnë vizion pozitiv dhe u intereson vetëm politika destruktive për rajonin. Mbështesin parti dhe grupe të cilat në mënyrë oportuniste punojnë në këtë drejtim. Mënyra më e mirë që të kundërshtohet politika e këtillë destruktive është që fillimisht të ofrohet alternativë pozitive. Është e qartë se shumica e qytetarëve dëshirojnë të jetojnë më mirë, dëshirojnë të zvogëlohet korrupsioni, dhe dëshirojnë institucione stabile dhe të parashikueshme. Asgjë nga kjo Rusia nuk ofron. E dyta, duhet të tregohet se si funksionon politika e Rusisë anti-NATO dhe anti-BE dhe se si grupet e vetëquajtura patriotike dhe mediat në fakt bashkëpunojnë me Rusinë dhe promovojnë jostabilitet.

Kryeministri grek Cipras i ballafaquar me gjendjet në vend deklaroi se po e ndërmerr  përgjegjësinë politike për pasojat nga zjarret në Atikë. Çka nëse Cipras detyrohet të japë dorëheqje, si do të reflektojë në implementimin përfundimtar të Marrëveshjes?

– Kyçe është që të kalojë referendumi dhe amendamentet kushtetuese në Maqedoni. Nëse arrihet kjo, do të jetë shumë vështirë për cilindo kryeministër të ardhshëm grek që të tërhiqet nga marrëveshja. Ideale, qeveria e tanishme greke do ta mbikëqyrë implementimin e përgjithshëm të marrëveshjes. Edhe pse, partitë opozitare deri tani hamendeshin për mbështetjen e marrëveshjes, nuk do të kenë interes që të tërhiqen, për shkak se pasojat do të ishin të mëdha. Vullneti i mirë i Maqedonisë që e tregoi në negociatat i solli kapital të madh politik në mbarë Evropën. Nëse i pyesni diplomatët perëndimorë, përshtypja për Maqedoninë u është ndërruar për 180 gradë për vetëm një vit.

Prisni angazhim të përforcuar ndërkombëtar për mbështetje të referendumit dhe për bindje të opinionit në Maqedoni dhe në Greqi për përfitimet nga Marrëveshja e Prespës?

– Jam i bindur se BE-ja dhe NATO do të ndihmojnë që të theksohen përfitimet nga marrëveshja. Në fund të fundit, qeveritë në të dy vendet duhet ta  bindin opinionin, ndërsa aktorët ndërkombëtarë do të ndihmojnë që të tregohen përfitimet. Fillimi i negociatave për inkuadrim me BE-në dhe anëtarësimi në NATO për rreth një vit janë mbështetja më e mirë që BE-ja dhe NATO mund ta ofrojnë. Është e rëndësishme që të përmendet se, gjatë diskutimit në BE për kur të fillojnë bisedimet për inkuadrim me Maqedoninë, numri i anëtareve të BE-së që fuqimisht e mbështetën Maqedoninë është më i madh deri tani.

Burimi: MIA