Reformat pa mësuesit janë të kota

ne kategorine Maqedoni nga

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Despotovska ka premtuar se nga muaji shtator mund të priten ndryshime në statusin e kuadrit mësimdhënës, kushte dinjitoze pune, paga më të larta…, ndryshime ligjore dhe përfshirje aktive të tyre në procesin e reformave të pritshme në arsim. Ndërsa organizatorët e kësaj konference kanë kërkuar që mësuesit të jenë aktorë kryesorë në hartimin e politikave në arsim dhe partnerë në ndërtimin e reformave.

Kushte dinjitoze pune, paga më të larta…, ndryshime në statusin e mësimdhënësve dhe përfshirje aktive të tyre në procesin e reformave të pritshme në arsim ka premtuar ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Despotovska, shkruan gazeta KOHA.

Sipas saj, çdo reformë, sado e hartuar mirë do të ishte e kotë dhe nuk do të kishte asnjë lloj efekti në sistemin arsimor nëse kuadri mësimor nuk është pjesë e tyre, e ndjen vetën të përjashtuar dhe nuk i sigurohet mbështetja e duhur nga Qeveria. Deklaratat e ministres janë bërë gjatë konferencës së organizuar të martën nga fondacioni Shoqëria e hapur me temë – “Reformat në arsim : sfidat dhe perspektivat në arsimin e mësuesve”. Organizatorët e kësaj konference kanë kërkuar që mësuesit të jenë aktorë kryesorë në hartimin e politikave në arsim dhe partnerë në ndërtimin e reformave.

“Për ndryshimet që nënkuptojnë një arsim më të mirë ne i kemi përfshirë mësuesit, një pjesë prej të cilëve janë të përgatitur dhe të tjerët në gazë përgatitore dhe kjo është mënyra më e mirë që të arrihet qëllimi i projektuar. Gjithsesi që planet tona në këtë aspekt nuk lidhen vetëm me kuadrin aktual arsimor në marrëdhënie pune, por edhe me gjeneratat e arsimtarëve që do të dalin dhe që do të duhet të jenë të gatshëm që t’iu përgjigjen sfidave të reja arsimore, sociale dhe ekonomike që i bart në vete ky profesion fisnik”, ka thënë ministrja.

Organizatorët e kësaj konference theksuan se përmirësimi i statusit të kuadrit mësimdhënës është një prej prioriteteve, ndërsa përfshrija e tyre në hartimin e politikave arsimore e patjetërsueshme. Elizabeta Sekiraska nga FSHH ka sjellë në vëmendje vendimet e qeverisë së kaluar dhe efektet negative të një sërë reformave që janë bërë viteve të fundit në arsim.

“I pamë se shumë prej këtyre reformave të pamenduara mirë, që nuk arritëm të realizoheshin treguan se ishin të përshpejtuara, pa rezultate që të vazhdohej me të tjerat duke na detyruar që të përballemi me probleme komplekse. Duke sjellë kështu një situatë të tillë ku arsimi në vend që të jetë një prej nënsistemeve më stabil shoqëror të shndërrohej në një gjenerator problemesh edhe për sfera të tjera”, ka thënë Sekiraska.

Në një hulumtim të prezantuar nga FSHH në Maqedoni funksionojnë rreth 20 fakultete për edukimin e kuadrit arsimor, si edhe 71 programe studimore./Koha.mk/