Një episod i zymtë me regji prej gazetari

në kategorine Opinione nga

Meqë ra fjala. Populli thotë se nëse dikush të thotë KOPIL ti mos merr hyxhym që me të vërtetë ta meritosh atë “epitet”. Ky i tha DHUNUES e ai ia ktheu me KOPIL dhe ia bëri me dije se nuk të kanosem e nuk merrem me ty por vetëm fyerjes dua t’ia kthej me fyerje. Pasuan protestat e kolegëve të “KOPILIT” që fyerjen e “DHUNUESIT” e shndërruan në kanosje dhe kështu puna u bë lëmsh në sytë e opinionit.

Kjo qenë edhe një episod i zymtë me regji prej gazetari. Kështu si shkojnë punët po del se fajin për gjendjen me mediumet më shumë e kanë vetë gazetarët me (jo) punën e tyre. Natyrisht kjo nuk vlen për të gjithë, por mund të thuhet se vlen për shumicën e gazetarëve. Kjo lehtë mund të konstatohet nëse ua hedh një sy analitik mediumeve, sidomos atyre elektronike e aq më tepër portaleve. Pra, gazetarët kur flasin për gjendjen e mediumeve duhet që fillimisht me autokricizëm të shohin oborrin e tyre e mandej të dalin në qarqet jashtë tij. Paramendoni, po del puna se një gazetar që llogaritet si i pari i Shoqatës së gazetarëve, nuk e di se liri e të shprehurit nuk është fyerja.

Përdorimi i fjalëve DHUNUES, QEN, KATUNDARË në kontekst të fyerjes nuk i ngjan një gazetari me plotë kuptimin e fjalës. Unë pres që gazetarët të organizojnë së paku një protestë kundër këtyre dukurive brenda llojit të tyre që të munden faqebardhë dhe me integritet të vazhdojnë luftën si esnaf për gjendjen, kushtet dhe punën e gazetarisë në tërësi. Dhe për fund, të mos keqkuptohem: Unë nuk kam asgjë kundër gazetarëve dhe gazetarisë. Madje dua shumë që ajo të jetë super e fuqishme dhe me integritet dhe jo e këtillë siç është tani e vobektë, me copy-paste lajme, me lajme të rreme, me reketime gazetareske, me linçime mediale, e partizuar, e politizuar, joprofesionale. Me pak gazetari dhe gazetarë që janë për t’u respektuar.

Vazhdimi i serialit me fyerjet publike nuk është gazetari. Fundja duhet bërë zgjedhjen, o gazetarë o politikan. Gazetarët bëjnë keq kur sillen pa u definuar e ne bazë të nevojës, herë si politikanë në gazetari e herë si gazetarë në politikë. Edhe-edhe nuk ka se mandej dalin kastravecë të shtrembër. Dhe krejt për fund, kjo nuk është një leksion për gazetarë, por një pasqyrim i realitetit të hidhur medial.

Ilmi Selami