Nesër në Kuvend Ligji i gjuhëve, Memedi: VMRO të jetë konstruktive

në kategorine Maqedoni

Pas përfundimit të afatit një javor kryetari i Kuvendit dhe koordinatorët e grupeve parlamentare, vendosën që nesër të caktohet seanca e Kuvendit për ligjin për përdorimin e gjuhëve.  Nënkryetari i Kuvendit Vesel Memedi, tha se dita e mërkurë do të jetë ditë kur edhe do të votohet ligji për gjuhët.

“Vendosëm që takimin ta mbajmë sot. Në koordinim u vendos që Ligji për gjuhën shqipe, bashkërisht me dy seanca të tjera që kanë mbetur që duhet të vazhdohen ta sjellim nesër, ditën e mërkurë kur edhe do të duhet për së treti herë të votohet Ligji për gjuhën shqipe”, tha Memedi.

Ai tha se gjatë koordinimit të partive politike në Kuvend, mungoi partia opozitare VMRO-DPMNE. Veseli kërkoi nga kjo parti të jetë konstruktive dhe e matur nesër gjatë seancës së Kuvendit.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së do të marrin pjesë në seancën e nesërme të Parlamentit, në të cilën duhet që të sjellët Ligji për gjuhët, por lideri kërkon shikimin e amendamenteve të tyre dhe hapjen e debatit për amandamentet.

“Të shmanget sjellja devijuese në Kuvend, miratimi i dhunshëm i këtij ligji ,bëjmë thirrje për respektim të Rregullores dhe shqyrtim të amendamenteve dhe hapje të një seance për amendamentet, gjë të cilën VMRO-DPMNE  pret  të ndodhë gjatë seancës së nesërme të Kuvendit. Të gjitha gjërat e tjera do të shkaktonin pasoja edhe për atë që do të vendosë ti shkelë ligjet, por edhe për të gjithë ata të cilët e përkrahin atë vendim”, u shpreh Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ligji për përdorimin e gjuhëve është në lexim të tretë në Kuvend.

Presidenti i vendit Gjorgje Ivanov, nuk e dekretoi ligjin për gjuhët, pasi sipas tij është kundërkushtetues. Pas kësaj, deputetët e VMRO-DPMNE-së, dorëzuan në Kuvend 35 mijë amendamente, me të cilat duan ta dëshmojnë se i njëjti ligj është kundërkushtetues. Qëndrime të kundërta ka shumica parlamentare e cila vlerëson se ligji është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.