Mbi “Planin e ri” dhe Planet e Vjetra

në kategorine Opinione

Nuk ka plan të ri për Kosovën. Nuk ka plan të ri as kosovar dhe as Perëndimor për Kosovën.

Ka plane të vjetra e të reja sa të duash nga Serbia. Për më shumë, planet në letër e pa letër janë vazhdimisht në qarkullim nga elitat e caktuara politike në Serbi. Si synim kryesor kanë ndjelljen e pasigurisë dhe mosqëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës.

Kjo, besoj, është e vërteta e tërë këtyre diskutimeve të vazhdueshme të ditëve e javëve të fundit, mbi atë që e quajnë plan të ri të atij apo këtij shteti. Kësaj apo asaj organizate. Sepse, nxitja e këtyre balonave në diskursin publik është njëlloj taktike për të matur reagimin, për të matur veprimin e të tjerëve.

Por, mbi të gjitha, duket qartë se vazhdimisht synohet portretizimi i shtetit të Kosovës si diçka e përkohshme, si diçka që do të merr formën e vet krejt të ndryshme prej kësaj që është sot dhe që njihet nga gati 2/3 e shteteve nëpër botë.

Sigurisht që kjo ishte dhe është e pritur. Nuk është një qëndrim i ri apo i paparë deri më tash nga ana e strukturave politike që ende mbeten në qarkun e nacionalistëve në Serbi. Këtu, besoj unë, nuk duhet që të mbetet thelbi i diskursit tonë publik. Nuk besoj se dezinformimi duhet të ngadhënjejë si agjendë publike.  

Thelbi është tek ne. Tek shteti ynë dhe përpjekjet tona për avancimin e pozitës së Kosovës. Kjo është domosdoshmëria jonë e përbashkët. Pavarësisht kush është në cilën detyrë, pavarësisht kush vjen prej cilit profesion apo të kaluar profesionale.

Plani i vetëm i Kosovës është forcimi i shtetit. Konsolidimi i plotë i tij, përmbyllja e kornizës dhe arkitekturës institucionale, rritja e kontrollit efektiv në tërë territorin, përmbyllja e temave të mëdha nacionale që i japin shtytje Kosovës për të lëvizur para në proceset integruese euro-atlantike, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, përmirësimi i jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe më gjerë, sikurse edhe forcimi i partneritetit me mbështetësit kryesor të Kosovës.

Nuk ka se si të duket një plan tjetër prej nesh, në Kosovë. Nuk ka se si të tingëllojë vizioni dhe angazhimi i Kosovës.

Në tërë këtë situatë dhe këto rrethana përcjellëse, patjetër se pozicioni i Kosovës në marrëdhëniet rajonale (nëse jo më gjerë) është pozicion jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e përbashkët demokratike. Kosova, sot, nuk është në asnjë situatë inferiore. Sepse, vendimmarrja në rajonin tonë kalon edhe nëpër Kosovë. Vendimmarrja në rajonin tonë nuk bëhet pa zërin e Kosovës.

Këto rrethana janë lehtësuese për politikë-bërjen nacionale të Kosovës. Në të njëjtën kohë, janë rrethana që ia shtojnë përgjegjësinë shtetërore. Tek e fundit, sjellja si akter i përgjegjshëm në rendin e tashëm botëror është një prej parimeve bazike në sistemin e ‘bazuar-tek-rregullat’.

Shtetet e vogla, sikurse janë të gjitha shtetet veç e veç në Ballkan, sigurisht se përballen me sfida. Madje, këto sfida marrin specifika lokale apo rajonale në vazhdimësi.

Një e tillë është qasja që vazhdon të sillet nëpër Planet e Reja/Vjetra të elitave të caktuara politike në Serbi. Tensionet etnike dhe ndër-shtetërore kudo nëpër Ballkan mbeten me rrënjë në politikat e gabuara historikisht të elitave të tilla në Beograd.

Kjo nuk kalon. As më parë dhe as tash kur dezinformacionet janë kthyer në mjet pune për të nxitur konfuzion në të ardhmen e shteteve në rajon.

Zgjidhjet e problemeve dhe vështirësive qytetare bëhen përmes forcimit të shteteteve në rajonin tonë, përfshirë këtu edhe në rritjen e bashkëpunimit ndër-shtetëror.