Marrëveshja Shqipëri-FRONTEX tërheq vëmendjen e medias së huaj

ne kategorine Shqipëri nga

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Agjencisë Europiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), që u nënshkrua dje nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj dhe Komisionerit të Bashkimit Europian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, ka tërhequr vëmendjen e medias së huaj.

“Që nga viti 2014, qeveria shqiptare ka sekuestruar qindra ton drogë dhe ka shkatërruar miliona rrënjë kanabis”, shkruan Euronews.

“Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka përcaktuar eliminimin e prodhimit të marijuanës si një nga prioritetet kyçe të saj”, thekson Euronews.

“Marrëveshja me Shqipërinë duhet të mbështetet tani nga 28 vendet anëtare të BE-së. Sapo të hyjë në fuqi, FRONTEX do të jetë në gjendje të kryejë aktivitete operacionale dhe të dislokojë ekipe në rajonet e Shqiopërisë të kufizojnë BE-në”, shkruan nga ana e saj Neweurope.eu.

“Komisioneri i Bashkimit Europian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos përshëndeti Shqipërinë për arritjen e kësaj marrëveshjeje që sipas tij do të forconte sigurinë e kufijve të jashtëm të BE-së”, shkruan Associated Press.

“Kjo marrëveshje do t’i sigurojë asistencë Shqipërisë në rast të rritjes së fluksit migrator në vend”, shkruan nga ana e saj agjencia shtetërore kineze e lajmeve, Hsinhua.

“Avramopoulos shprehu shpresën për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në BE, pasi ‘ndajmë të njëjtat sfida në betejën kundër migracionit ilegal”, shkruan greekreporter.gr

Kjo marrëveshje, që do t’u mundësojë ekipeve të Agjencisë Europiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare të vendosen me shpejtësi në territorin shqiptar në rast të ndonjë ndryshimi të papritur të flukseve migratore, ka tërhequr vëmendjen edhe të bussinesinsider, të agjencive Reuters apo ANSA./kohanet/